Categories
HOME

SHBA, rriten thirrjet tek linja e re telefonike për shëndetin mendor

Një linje e re telefonike mbarëkombëtare për shëndetin mendor, ka rritur numrin e njerëzve që bëjnë thirrje për ndihmë në Shtetet e Bashkuara. Kjo e ka rritur nevojën edhe për specialistë që t’u përgjigjen thirrjeve të njerëzve që po kalojnë probleme të shëndetit mendor.

Linja e re telefonike për të ndihmuar me krizat e shëndetit mendor është modeluar sipas numrit tashmë të njohur 9-1-1 në mbarë Shtetet e Bashkuara që ekziston për policinë dhe për urgjenca të tjera. Në një moment krize, thotë këshilltarja e shëndetit mendor Bev Marquez, numri i ri, me vetëm tre shifra, 9-8-8, në vend të një numri të zakonshëm 10 shifror, mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

Dy gjëra kanë ndryshuar. E para, numri i ri, e dyta, dikur linja telefonike ishte vetëm për parandalimin e vetëvrasjeve, tani ajo është për të gjitha shqetësimet e shëndetit mendor”, thotë zonja Marquez.

Në Kolorado, shërbimi i ri po financohet nga fondet që qeveria federale ka parashikuar për problemet e shëndetit mendor të shkaktuara nga koronavirusi si dhe nga një takse e re telefoni.

“Kam mbi 25 vjet përvojë, ky është investim i paprecedentë. Nuk ka asnjë pengesë, thirrja është falas, ruhet anonimiteti, mund të përdoret sa herë të keni nevojë dhe do të merrni një përgjigje profesionale”, thotë zonja Marquez.

Thirrjet tek numri i ri 988 përgjigjen nga një këshilltar i trajnuar për krizat e shëndetit mendor, i cili, sipas nevojës, mund të ofrojë kontakte edhe me burime të tjera. Këshilltari Erik Jacobsen thotë se telefonatat bëhen nga njerëzit që mendojnë vetëvrasësjen e deri tek ata që vuajnë nga depresioni, ose përjetojnë ankth.

“Unë e bëjë këtë punë sepse ka ndikim jashtëzakonisht të madh. Ju angazhoheni me njerëz që ndoshta janë duke kaluar ditën më të keqe të jetës së tyre dhe duke qenë i sjellshëm, duke i dëgjuar me vëmendje, ju mund të ndryshoni trajektoren e jetës së një personi tjetër”, thotë zoti Jacobsen.

Ai thotë se hapi i parë është të përpiqesh të vësh veten në vendin e personit që thërret, edhe kur është fjala për një shtatëvjeçar që thotë se është gati të gëlltisë një shishe me ilaçe.

“Duhet të jesh i vëmendshëm gjatë bisedës, duke dëgjuar historinë e tyre dhe duke inkurajuar butësisht atë që ne e quajmë ‘planifikimi i sigurisë’. Në një rast kjo vërtetë e ndryshoi situatën pas një telefonate që zgjati 20 minuta. I njëjti telefonues, dy ditë më vonë thirri përsëri në linjën tonë dhe tha: ‘Nuk e di me kë fola, por atë ditë ai person më shpëtoi jetën”, tha zoti Jacobsen.

Zyrtarët e shëndetit mendor thonë se rritja e telefonatave përfshin fëmijë me prindër të alkoolizuar, çifte që përjetojnë dhunë në familje dhe njerëz me depresion dhe ankth pasi kanë humbur një të dashur nga koronavirusi./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.