Categories
HOME

21 vjet nga sulmet e 11 shtatorit në ShBA

Sot mbushen 21 vjet nga rrëmbimi i katër avionëve të pasagjerëve nga terroristët islamikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sulmet më të mëdha terroriste në historinë moderne.

Presidenti amerikan Joseph Biden do t’i drejtohet rastit dhe do të vendosë një kurorë në Pentagon, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Zonja e Parë Jill Biden do të flasë në Memorialin Kombëtar të Fluturimit 93 në Shanksville, Pensilvani.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj do të marrin pjesë në një ceremoni përkujtimore në Qendrën Përkujtimore Kombëtare të 11 Shtatorit në Nju Jork.

Më 11 shtator 2001, kamikazët rrëmbyen avionë amerikanë dhe i përplasën në dy rrokaqiejt e qytetit të Nju Jorkut, duke vrarë mijëra njerëz.

Katër avionë që fluturonin mbi pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rrëmbyen njëkohësisht nga një ekip i vogël rrëmbyesish.

Më pas ata u përdorën si raketa gjigante të drejtuara për të goditur ndërtesat ikonike të Nju Jorkut dhe Uashingtonit.

Dy avionë u përplasën me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

Aeroplani i parë goditi Kullën Veriore në orën 08:46 të mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa aeroplani i dytë goditi Kullën Jugore në 09:03 të mëngjesit sipas kokës lokale.

Ndërtesat morën flakë, duke bllokuar njerëzit në katet e sipërme dhe duke përfshirë të gjithë qytetin me tym të dendur.

Në më pak se dy orë, të dy kullat 110-katëshe u shembën në një re të madhe tymi.

Në orën 09:37, një aeroplan i tretë shkatërroi krahun perëndimor të Pentagonit – selinë e madhe të ushtrisë amerikane pranë Uashingtonit.

Një aeroplan i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani në orën 10:03 të mëngjesit pasi pasagjerët rezistuan.

Besohet se rrëmbyesit synonin të sulmonin ndërtesën e Kapitolit në Uashington.

Në total humbën jetën 2.977 persona, pa llogaritur 19 rrëmbyesit, shumica në Nju Jork.

Të 246 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në katër avionë vdiqën, në Kullat Binjake, 2.606 njerëz vdiqën në vend ose më vonë nga plagët, dhe 125 njerëz vdiqën në Pentagon.

Viktima më e re ishte Christina Lee Henson dy vjeçare, e cila vdiq në një nga aeroplanët me prindërit e saj, Peter dhe Sue.

Më i moshuari ishte 82-vjeçari Robert Norton, i cili ishte në një avion tjetër me gruan e tij Jacqueline, me të cilën po udhëtonte për në një martesë.

Kur u godit avioni i parë, llogaritet se në kulla ishin 17.400 njerëz.

Askush nuk mbijetoi mbi zonën e goditjes në Kullën e Veriut, por 18 prej tyre arritën të shpëtonin nga katet mbi zonën e goditjes në Kullën Jugore.

Mes viktimave kishte shtetas nga 77 vende. Nju Jorku humbi 441 reagues emergjence.

Mijëra njerëz u plagosën ose u zhvilluan më vonë sëmundje të lidhura me sulmet, duke përfshirë zjarrfikësit që punonin në rrënoja.

Sulmet ishin planifikuar nga Afganistani nga rrjeti ekstremist islamik Al Kaida.

E udhëhequr nga Osama Bin Laden, Al Kaida fajësoi SHBA-në dhe aleatët e saj për luftërat në botën myslimane.

Rrëmbimet u kryen nga 19 persona, duke punuar në tre ekipe me nga pesë anëtarë secila dhe një nga katër – në një aeroplan që u rrëzua në Pensilvani.

Secili grup kishte dikë që kishte kryer trajnimin e pilotëve në shkollat e fluturimit në SHBA.

Pesëmbëdhjetë nga rrëmbyesit ishin sauditë, ashtu si edhe vetë Bin Laden.

Dy ishin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Organizatori i dyshuar i sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Muhammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003.

Që atëherë, ai është mbajtur në paraburgimin amerikan në Gjirin e Guantanamos, ku është në pritje të gjyqit.

U deshën më shumë se tetë muaj për të pastruar “Fushën Zero” – vendi ku u shembën Kullat Binjake.

Tani ka një monument dhe një muze në atë vend, dhe ndërtesat janë rindërtuar, por me një pamje tjetër.

Ndërtesa qendrore e përfunduar – Qendra Një Botërore e Tregtisë ose “Kulla e Lirisë” – është edhe më e lartë (541 metra) se Kulla Veriore origjinale, e cila ishte 417 metra e lartë.

Rinovimi i Pentagonit zgjati pak më pak se një vit dhe stafi u kthye në zyra në gusht 2002.

Lideri i Al Kaidës Bin Laden u vra nga trupat amerikane në Pakistanin fqinj, në vitin 2011./

Leave a Reply

Your email address will not be published.