Categories
HOME

Kosova do ta zhvillojë sot stërvitjen e fundit para nisjes për në Belfast

Kombëtarja e Kosovës në futboll do ta zhvillojë sot seancën e fundit stërvitore para nisjes për në Belfast.

“Dardanët” janë grumbulluar nga e hëna dhe kanë ushtruar këto ditë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe në Kampin Nacional në Hajvali.

E sot, ata do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit, pikërisht në Hajvali, nga ora 10:30, shkruan “Gazeta Express”.

E më pas, kontingjenti kosovar do të bëhet gati për t’u nisur drejt Irlandës së Veriut, me të cilën do të përballen të shtunën mbrëma në kuadër të Ligës së Kombeve.

Verdhekaltrit janë përballur me disa mungesa, mbi të gjitha të Mërgim Vojvodës e Leart Paqaradës, por selektori Alain Giresse vendosi të mos i gjejë zëvendësuesit e tyre dhe nuk ftoi lojtarë të tjerë për ndeshjet e shtatorit.

Kosova e kishte mundur Irlandën e Veriut në qershor me rezultat 3:2, ndërsa të shtunën do të mundohet ta nxjerrë një tjetër rezultat pozitiv, kësaj radhe në udhëtim.

Edhe veri-irlandezët janë më të vendosur më shumë se kurrë për ta fituar këtë lojë dhe njëherësh për ta shijuar fitoren e parë në këtë kampanjë të Ligës së Kombeve, shkruan “Gazeta Express”.

Më pas, të martën që vjen, Kosova do ta mbyllë këtë eksperiencë në këtë garë me duelin që do ta zhvillojë në shtëpi ndaj Qipros, ndërsa Irlanda e Veriut do të ketë punë me Greqinë.

Kosova është e dyta në tabelën e Grupit 2 të Ligës C me 6 pikë të grumbulluara, prej tyre 2 fitore e 2 humbje, kurse Irlanda e Veriut është e treta me 2 pikë, respektivisht me 2 barazime e 2 humbje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.